Max Verstappen e ka nisur edhe këtë sezon me “gazin në maksimum”. Piloti i Red Bull ka fituar katër nga pesë garat e para të kalendarit dhe duket i pandalshëm drejt titullit të katërt. E vetmja që po bën lajm në këtë moment rreth 26-vjeçarit është e ardhmja e tij.
Holandezi pas polemikave dhe rrëmujës që ka nisur te Red Bull mes drejtuesve më të lartë, së fundi u largua “truri” Adrian Newey, duket i prirur të provojë një aventurë të re. Së fundmi, është vetë babai i Max Verstappen, Jos ai i cili i hedh më tepër “benzinë zjarrit” duke theksuar se makina Red Bull është e shpejtë, por duke shtuar se djali i tij duhet të mendojë më të mirën për të ardhmen e tij.

“Mendoj se të gjithë duan ta kenë Max. Ai ka një makinë shumë të shpejtë, por duhet të mendojmë edhe për të ardhmen e afërt. Po shikojmë vitin 2026, duke pritur të kuptojmë se çfarë mund të ndodhë, por le të qëndrojmë të qetë”, u shpreh Jos Verstappen.



