Legjenda e Interit dhe njëkohësisht zëvendëspresidenti i klubit zikaltër, Javier Zanetti, në një prononcim për Radio Serie A, ka zbuluar surprizën më të madhe të skuadrës së Simone Inzaghit.
Interi dominoi Serie A këtë edicion, duke u shpallur kampion Italie me një diferencë të frikshme me ndjekësit. Suksesi përkoi me titullin numër 20-të në histori, që solli edhe yllin e dytë në fanellë.
“Mendoj se surpriza më e bukur për ne drejtuesit ishte Marcus Thuram. Nuk prisnim që të përshtatej kaq shpejt në një kampionat të ri dhe të gjente këtë harmoni me Lautaron dhe skuadrën”, ka thënë Zanetti.

“Sigurisht edhe Pavard, por ai është një futbollist me më shumë përvojë. Gjithsesi, të gjithë lojtarët e rinj kanë qenë vendimtarë. Duke nisur nga Sommer e duke përfunduar te Frattesi”, theksoi argjentinasi.



