Ndër më të merituarit që Inter e fitoi titullin e kampionit në Serie A është edhe portieri Yann Sommer. Zvicerani është një nga ata që ka ndihmuar jashtë mase prapavijën duke përçuar siguri me pritjet e tij, madje deri në fund të kampionatit synon edhe një rekord që mbahet nga idhulli i tij Gianlugi Buffon.
Ish-portieri i Juventusit e ka mbyllur një sezon me 21 ndeshje pa pësuar. Aktualisht, Sommer është në kuotën e 18 ndeshjeve dhe kur kanë mbetura edhe katër javë nga fundi i Serie A, thekson se kërkon ndihmën e shokëve të paktën për të barazuar rekordin e Gigit.

“Gigi ka qenë gjithmonë idhulli im qëkur isha i ri. Ai është një legjendë dhe për mua do të ishte mjaftueshëm edhe nëse vetëm do ta barazoja rekordin e tij. Do të provojmë të gjithë si skuadër, pasi nuk është një arritje që mund ta realizoj i vetëm”, ka thënë Sommer.
Sekretet e formës në moshën 35-vjeçare? “Meditimi ka një rol shumë të rëndësishëm. Roli i portierit ka shumë presion dhe meditimi më liron krejtësisht. Aty jam vetëm unë dhe mendimet e mia, është diçka shumë thelbësore për mua”, ka shtuar numri një i zikaltërve.



