Bellingham tregon si e mori numrin 5 te Reali
B

Bellingham tregon si e mori numrin 5 te Reali

Jude Bellingham tashmë është shndërruar në yllin më të shndritshëm të Real Madrid. Talentit britanik i mjaftoi vetëm një sezon për t’i fituar zemrat tifozerisë së “Los Blancos”, falë golave dhe lëvizjeve elegante në fushë. Në fakt, drejtuesit madrilenë besonin shumë tek 19-vjeçari pasi jo më kot shpenzuan mbi 100 milionë për ta transferuar nga Borussia Dortmund dhe jo më kot, i përgatitën fanellën me numër 5 që në të kaluarën është veshur nga Zinedine Zidane.

Në fakt, fanella me numër 5 e Zidane ka një histori të veçantë edhe për vetë Belligham që tregon se kur ishte fëmijë, babai i tij vishte gjithnjë fanellën e francezit.

“Babai im vishte gjithnjë në shtëpi fanellën e Zidane dhe kur mbërrita këtu verën e kaluar ma dhuroi. Ai e vishte atë bluze gjithmonë dhe unë e pysja: ‘Po kush është ky Zidane’? Dhe ai më thoshte se kur të rritesha do të njihesha me të nëpërmjet Youtube”.

“Tani që mbaj veshur numrin 5 për mua do të thotë shumë. Dua të falënderoj edhe Vallejon, pasi kjo fanellë ishte e atij para se unë të transferohesha te Reali. E admiroj shumë Zidane dhe është një numër që më frymëzon. Nuk dua të jem si Zidane sepse unë jam ndryshe, por jam i lumtur që mbaj këtë fanellë dhe këtë numër. Për mua është nder i madh”, u shpreh Bellingham.

TË FUNDIT