Borussia Dortmund është në finalen e Champions League. Skuadra gjermane e eliminoi PSG-në, ndaj së cilës të dyja ndeshjet i fitoi me rezultat identik 1:0.
Trajneri i verdhezinjve, Edin Terzic, arkitekti i kësaj arritjeje të madhe të skuadrës verdhezi, shijon finale e parë në garën më të rëndësishme për klube.
“Para ndeshjes së parë kundër PSG-së, folëm për herë të parë se sa i ishim afruar rrugëtimit për në Londër, shumë ishin të hutuar. Vitin e kaluar humbëm kampionatin në javën e fundit, në shtëpi, tani jam i lumtur që mund t’u jap diçka tifozëve. E kuptuam se mund të ishim surpriza e këtij Championsi, u rritëm në çdo ndeshje”, ka thënë Terzic.
Një kualifikim ndoshta edhe me pak fat, por për Terzic krejtësisht i merituar.
“Jam i lumtur dhe krenar, nëse fiton dy gjysmëfinalet do të thotë se finalja është e merituar. Ne po bëjmë një rrugëtim të bujshëm në Champions dhe e kemi kthyer ëndrrën në realitet”.

Në finalen e Wembley-t përballë Dortmundit do të jetë Reali ose Bayerni.
“Cilado skuadër që e fiton gjysmëfinalen tjetër do të jetë favorit në Londër, por ne do ta luajmë dhe sinqerisht nuk më intereson se cili kundërshtar do të jetë. Është një krenari e madhe për të luajtur këtë ndeshje me ekipin tim”, ka përfunduar Terzic.



