Në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe është duke u mbajtur Kampionati Botëror i xhudos.
Nga xhudistët kosovarë, të hënën ka garuar Akil Gjakova. Ai u paraqit në kategorinë deri 73 kilogramë, që është prej kategorive me konkurrencën më të fortë.
Në xhiron e parë nuk pati telashe. Fitoi shpejt e bindshëm ndaj Faye Njie të Gambisë. Në xhiron e dytë, Gjakova e kishte përballë bartësin e parë të Botërorit, Hidayat Heydarov të Azerbajxhanit.
Lufta me të ishte e fortë, por Heydarov shënoi fitore. Me hedhje të bukur siguroi uazari e më pas edhe një uazari tjetër për fitore me Ippon.
Shorti nuk e ka favorizuar xhudistin kosovar, që po ashtu nuk ishte bartës.
Heydarov është prej më të mirëve në botë. Ndaj tij Akili kishte fituar në Evropianin e hapur në Prishtinë, dhjetorin e kaluar. Po tashmë i ka pesë humbje me Heydarovin.
Të martën në Kampionat Botëror garon Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë.



