Kristjan Asllani sapo ka festuar titullin e tij të parë kampion në Serie A pas një sezoni ku ai i bindi të gjithë te Interi se mund të jetë një alternativë shumë e rëndësishme për mesfushën zikaltër. Por në mënyrë të papritur, e ardhmja e tij vihet në diskutim në Itali, në portalet që i kushtohen klubit zikaltër.
Në një artikull të gjatë të “interlive.it”, spekulohet se mesfushori shqiptar është ndër emrat e mundshëm që klubi i Aston Villas e sheh si përforcim për sezonin e ri, ku do të luajë në Ligën e Kampioneve.
Kthimi pas katër dekadash në këtë turne ka shtyrë klubin anglez të mendojë përforcime të shumta dhe me një buxhet të rëndësishëm të siguruar nga kualifikimi në turneun më të rëndësishëm për klube, trajneri Unai Emery po piketon lojtarë të ndryshëm.

Portali në fjalë bën të ditur se me 25 milionë euro plus një përqindje nga shitja e ardhshme e Asllanit, mund të bëjnë Interin të ndërrojë mendje për qëndrimin e mesfushorit kuqezi nëse Aston Villa troket me këtë propozim në dyert e zikaltërve.



