Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen sonte në sfidën vendimtare, pas së cilës do të shpallet kampioni i ri i Kosovës.
Seria finale është 2:2, që ishte shumë interesante, kurse interesimi për finalen e pestë të “Play-offit”, është i jashtëzakonshëm. ‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.
Mitrovicasit duan titullin e pestë në histori të klubit, apo të parin që nga viti 2012, kurse therandasit të tretin, ku më 2021 dhe 2022 ishin shpallur kampionë të Kosovës.
‘Xehetarët’ synojnë trofeun e katërt këtë edicion, pasi kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike.
Trepça në gjysmëfinale eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli, në çerekfinale mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.
Mitrovicasit në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën që ishte e dyta me 19 fitore e nëntë humbje.
Ndeshja zhvillohet të enjten në Mitrovicë nga ora 19:00.



