Kapiteni Gjimshiti arrin diçka që nuk e kishte imagjinuar
K

Kapiteni Gjimshiti arrin diçka që nuk e kishte imagjinuar

Berat Gjimshiti ishte futbollisti, i cili çoi lart i pari trofeun e Ligës së Evropës, të parin në historinë e Atalantës, duke u bërë futbollisti i parë i Kombëtares shqiptare që fiton këtë trofe, për më tepër si kapiten. Një moment që ai pranoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë më parë.

“Është e vështirë të gjesh fjalët tani, as që po e kuptoj se çfarë bëmë. Një sukses kaq i madh pas finales së humbur është i pabesueshëm, morali nuk ishte më i miri. Por, tani nuk më interesojnë tri finalet e humbura”, ka thënë Gjimshiti.

“Shiriti? Jam krenar, sot mësova se do të mbaj shiritin në krah. Por grupi është fantastik, luajtëm shumë mirë dhe e merituam. Tifozët na mbështesin gjithmonë, edhe nëse kemi humbur finalet e tjera, por sot shkoi mirë. Të gjithë të mirë, këta tifozë e meritojnë suksesin”, ka shtuar mbrojtësi kuqezi.

“A do e imagjinoja kur iu bashkova Atalantës? Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Kur arrita, situata dhe pritshmëritë ishin të ndryshme, ne po luanim për të shmangur rënien. Ardhja e Gasperinit solli një filozofi të re. Ai gjithmonë dëshiron të përmirësojë lojtarët dhe t’i bëjë ata të performojnë më të mirën e tyre. Pastaj disa vite më vonë fillova të imagjinoj një moment të tillë, ndoshta jo Ligën e Europës, më shumë Kupën e Italisë. Por sot e meritojmë të gjithën”, tha Gjimshiti pas ndeshjes.

TË FUNDIT