Të dielën nis Kampionati i sivjetmë i automobilizmit në Kosovë, me garën në disiplinën auto sllallom, që do të mbahet në Ferizaj.
Pas një pushimi relativisht të gjatë, garuesit tanë do t’u kthehen shtigjeve të garave me synimin për të tubuar sa më tepër pikë dhe renditje sa më të mire në plasmanin gjeneral në fund të kampionatit.
Ajo që është me rëndësi të veçantë, organizatori, në këtë rast AK Ferizaj, vlerëson se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura.
Kryetari i klubit, Sadat Rysha, shprehet optimist se gjithçka do të shkojë siç është më së miri.
“AK Ferizaj i ka marrë me kohë të gjitha masat për të organizuar garën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe institucionet tjera relevante do tëpunojmë me përkushtimin më të madh që deri në përmbylljen zyrtare të garës, gjithçka të shkojë sa më mire”, ka thënë Rysha për faqen zyrtare të FASK-ut.
Ai shpreson që interesimi i garuesve, por edhe i dashamirëve të auto sportit të jetë i madh.



