Aksidentet me fatalitet në Kosovë, Ahmeti: Duhet më shumë fushata ndërgjegjësimi
A

Aksidentet me fatalitet në Kosovë, Ahmeti: Duhet më shumë fushata ndërgjegjësimi

Dita e diel doli të jetë fatale për tre persona si pasojë e një aksidenti në magjistralen Mitrovicë-Pejë, shkruan AutoPortali.

Aksidenti ndodhi mes një veture civile dhe një tjetër zyrtare të Policisë e sipas raportit, lëndime të rënda trupore kanë pësuar edhe katër zyrtarë policorë, të cilët janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), ndërsa për aksidentin janë duke u kryer hetimet.

Është raportuar për një aksident trafiku në mes dy automjeteve (njëra veturë civile dhe tjetri automjet i PK-së), ku si pasojë e aksidentit tre persona (civil) një mashkull dhe dy femra kanë ndërruar jetë, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë meshkuj kosovarë dhe një person (civil) mashkull kosovar, të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë, institucionet kompetente IPK-ja dhe Prokurori i Shtetit. Trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, përderisa lidhur me aksidentin janë duke u kryer hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti ka thënë për AutoPortalin se shkaktari kryesor të aksidenteve janë tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, pakujdesia e shoferëve me theks të veçantë përdorimi i telefonave gjatë vozitjes.

“Shkaktarët kryesorë të aksidenteve në Kosovë, janë shpejtësia e tejkaluar, mungesa e respektimit të kufijve të shpejtësisë, sidomos në zona urbane dhe afër shkollave, pakujdesia e shoferëve si përfshirja në përdorimin e telefonit ose aktivitete të tjera gjatë vozitjes.”

Ahmeti si problem i sheh edhe rrugët e dëmtuara, sinjalizimi si dhe mungesa e dritës.

Gjendja e rrugëve të dëmtuara, mungesa e sinjalizimit horizontal/vertikal dhe ndriçimi i pamjaftueshëm”, ka shtuar eksperti i komuniakcionit.

Por si të vijmë deri te parandalimi i aksidenteve, Ahmeti tha se duhen më shumë fushata ndërgjegjësimi  si dhe kontrolle më të rrepta nga Policia e Kosovës.

Duhet edukimi i shoferëve dhe fushata ndërgjegjësim, fushata këto që sensibilizojnë për rreziqet e shpejtësisë dhe mosrespektimit të rregullave. Përmirësimi i infrastrukturës si dhe kontrolli i rreptë nga policia, vendosja e radarëve, shtimi i gjobave për shkelësit e ligjit dhe kontrolle të rregullta për konsumim alkooli.”

 Eksperti Ahmeti komenton edhe aksidentin e fundit me fatalitet.

Më 26 janar 2025, në magjistralen Mitrovicë-Pejë, përkatësisht në fshatin Çubrel, ndodhi një aksident tragjik që rezultoi me humbjen e jetës së tre personave dhe lëndimin e disa të tjerëve, përfshirë katër zyrtarë policorë. Ky aksident është një kujtesë e dhimbshme për rreziqet e vazhdueshme në rrugët tona dhe nënvizon nevojën urgjente për masa të përforcuara në drejtim të sigurisë rrugore. Shkaqet e sakta të këtij incidenti ende nuk janë bërë publike, por ngjarje të tilla shpesh lidhen me faktorë si shpejtësia e tejkaluar, pakujdesia gjatë vozitjes, gjendja e papërshtatshme e rrugëve dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut”.

Sipas statistkave të lëshuara nga Policia e Kosovës gjatë viti 2024 janë raportuar 88 aksidente fatale me marrje jete të 96 personave, aksidente me lëndime 7988 me mbi 15 mijë persona të lënduar.

Sipas Ahmetit këto shifra janë  “alarmante” dhe sipas përllogaritjeve i bie të kenë qenë diku 8 vdekje për një muaj.

Ky numër nënkupton një mesatare prej rreth 8 vdekje në muaj, që është një plagë e rëndë për familjet dhe shoqërinë. Nëse krahasohet me standardet evropiane të sigurisë rrugore, Kosova qëndron larg objektivave për të reduktuar numrin e viktimave në rrugë. Është e domosdoshme të punohet më shumë në rritjen e sigurisë rrugore për të shpëtuar jetë dhe për të minimizuar pasojat ekonomike dhe sociale që vijnë nga aksidentet”, ka shtuar Bekim Ahmeti.

Vlenë të theksohet se edhe një aksident trafiku ka ndodhur të dielën në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt, ku katër persona kanë pësuar lëndime.

Policia e Kosovës njoftoi se aksidenti ka ndodhur të dielën rreth orës 21:00 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, dhe ka përfshirë tri vetura dhe një autobus, të gjitha me targa vendore. Pas aksidentit, të lënduarit janë transportuar menjëherë në Qendrën Emergjente të Ferizajt për trajtim mjekësor dhe më pas janë liruar./AutoPortali/

TË FUNDIT