Dy gara kanë mbetur deri në pushimin veror të kampionatit të Formula 1, ndërsa e para zhvillohet të dielën (ora 15:00) në pistën legjendare Spa-Francorchamps, për Çmimin e Madh të Belgjikës. Rekordin për numrin e fitoreve e mban Michael Schumacher me gjashtë triumfe, ndërsa Ayrton Senna dhe Lewis Hamilton kanë nga pesë fitore secili. Prandaj, shumë presin që britaniku ta kalojë i pari vijën e finishit dhe të barazohet me rekordin e Schumacherit.
Ferrari është në formë të mirë, pasi ka fituar dy nga tri garat e fundit dhe ka treguar se është skuadra e vetme që mund të mbajë ritmin me Mercedesin dominues. Kimi Antonelli vazhdon të kryesojë renditjen me 179 pikë, përpara shokut të skuadrës George Russell me 154 dhe Lewis Hamilton me 147 pikë.
Alonso: E dimë se Spanja mund ta bëjë!
Gara në Spa do të zhvillohet nën hijen e finales së madhe të Kampionatit Botëror të Futbollit. Të dielën, nga ora 21:00, në Nju Xhersi do të përballen Spanja dhe Argjentina. Nuk është çudi që Botërori është një temë e rëndësishme edhe mes pilotëve. Për garën drejt trofeut foli edhe Fernando Alonso, i cili është një tifoz i madh i futbollit.
Spanjollit nuk po i ecën pothuajse asgjë me Aston Martin, që konsiderohet skuadra më e dobët në Formula 1 këtë sezon. Për këtë arsye, Alonso bëri edhe pak humor me veten dhe ekipin e tij.
“Gjëja më e mirë për ne të dielën do të jetë vetë ndeshja e futbollit. Të gjithë jemi me ta dhe e dimë se çfarë janë të aftë të bëjnë”, tha me shaka Alonso, i cili këtë sezon ka vetëm një pikë në renditje.
Kolapinto: Jam i lumtur për Messin!
Argjentinasi i vetëm në Formula 1, Franco Colapinto, nuk e fshehu entuziazmin për finalen që do të luhet në New Jersey.
“Në fund të fundit, është vetëm një ndeshje futbolli. Por, duke marrë parasysh gjithçka që ka ndodhur… kishte shumë kohë që nuk kishim luajtur kundër Anglisë dhe jam shumë i lumtur që fituam. Jam i lumtur për ekipin, jam i lumtur për Messin. Jam shumë krenar për vendin tim dhe krenar që nuk u dorëzuan kurrë”, deklaroi piloti i Alpine.
Colapinto shtoi se u emocionua duke parë mënyrën se si kombëtarja argjentinase luftoi deri në sekondën e fundit.
)
“Ata treguan se çfarë do të thotë gjaku argjentinas! Ndonjëherë u emocionova, thjesht për mënyrën se si vazhduan përpara, luftuan dhe nuk u dorëzuan kurrë. Ishte vërtet mbresëlënëse. Edhe një herë, jam shumë krenar që jam argjentinas. Jam shumë i lumtur për ta, sepse e meritojnë. Dhe, sigurisht, e gjithë Argjentina është shumë e lumtur, gjë që është fantastike”, shtoi ai.
Piloti i ri pret një finale edhe më të vështirë kundër Spanjës.
“Jam i sigurt se do të jem shumë më nervoz për finalen sesa për garën. Të luash kundër Spanjës… është e vërtetë që rivaliteti është rritur vitet e fundit, por kryesisht për shkak të asaj që është thënë në Spanjë për Messin dhe lojtarët argjentinas. Mediat i kanë ekzagjeruar të gjitha. Të jem i sinqertë, Spanja dhe Argjentina janë dy vende latine. Flasim të njëjtën gjuhë. Do t’i kuptojmë edhe sharjet që do t’i drejtojmë njëri-tjetrit, kështu që do të jetë mjaft argëtuese. Shpresoj të jetë një ndeshje e shkëlqyer. Mendoj se kjo është një finale për të cilën duhet të jemi krenarë: Argjentina dhe Spanja në finale, pasi eliminuan Francën dhe Anglinë. Është finalja më e mirë që mund të kishim dëshiruar. Jam shumë i lumtur”, përfundoi Colapinto.



