Fernando Alonso ka reaguar ndaj deklaratave të drejtuesit të Formula 1, Stefano Domenicali, i cili ka propozuar ndryshime për ta bërë sportin më tërheqës për publikun e ri, si më shumë gara sprint dhe shkurtimi i garave kryesore.
Alonso thotë se problemi nuk qëndron te Formula 1, por te shoqëria moderne dhe mungesa e përqendrimit te të rinjtë:
“Kur shoh futboll, nuk rri 90 minuta para TV. Por askush nuk thotë që duhet të zgjasë vetëm 60 minuta. Pse duhet të ndryshojë F1 atëherë?”
Spanjolli kritikoi idenë e shkurtimit të garave dhe heqjen e stërvitjeve, duke kujtuar se tashmë F1 është kthyer në një spektakël televiziv me elementë si DRS, goma që degradohen shpejt dhe garat sprint.
Sipas tij, garat e gjata janë më të pasura në strategji dhe i japin pilotëve më shumë mundësi për të ndryshuar rrjedhën e garës. “Në sprint nuk ke kohë për të bërë asgjë, nëse gabon në nisje, kaq ishte”.
Gjithashtu, Alonso propozoi edhe një rikthim të mundshëm të furnizimit me karburant gjatë garës, për ta bërë atë më interesante.



