Trajneri i ri i Real Madridit, Xabi Alonso, thuhet se nuk ka besim të plotë te sulmuesi brazilian Rodrygo Goes, pavarësisht deklaratave publike në mbështetje të tij pas ndeshjes me Osasunën.
Alonso, pas fitores minimale ndaj Osasunës në javën e parë të La Ligas, kërkoi që “njerëzit të mos shqetësohen për Rodrygon, sepse është vetëm një ndeshje”.
Por, sipas mediumit të njohur The Athletic, kjo është më shumë retorikë publike sesa qëndrimi i vërtetë i trajnerit, transmeton AutoPortali.
Gazetari Mario Cortegana, i njohur për mbulimin e zhvillimeve te Real Madridi, ka shtuar dyshimet duke theksuar se lënia jashtë e Rodrygos nga formacioni dhe mungesa e përdorimit të tij gjatë gjithë ndeshjes nuk është rastësi.
“Rodrygo nuk luajti asnjë minutë në ndeshjen hapëse të sezonit. A beson vërtet dikush se Alonso do ta mbante në stol nëse do të mendonte se ai mund ta ndihmonte ekipin?”, shkroi Cortegana.
Sipas tij, trajneri spanjoll i dha përparësi futbollistëve si Franco Mastantuono dhe Gonzalo, të cilët hynë në fushë në pjesën e dytë, madje edhe në një rezultat të ngushtë, duke thelluar bindjen se Rodrygo nuk është më në planet afatgjata të teknikut.
Pavarësisht spekulimeve dhe mungesës së besimit nga stafi teknik, Rodrygo Goes nuk ka shfaqur dëshirë për largim nga Real Madridi.
Brazilianit i kanë mbetur edhe dhjetë ditë përpara se të mbyllet afati kalimtar veror dhe, për momentin, ai është i fokusuar te qëndrimi në “Santiago Bernabeu”.
Së fundmi është përfolur për një interes nga Premier League, por asgjë konkrete nuk është konfirmuar nga klubi apo lojtari.



