Bayer Leverkuseni ka shënuar fitore në udhëtim te Roma, me rezultat 2:0, në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ligën e Evropës.
Pas ndeshjes, trajneri i Leverkusenit, Xabi Alonso u shpreh i lumtur me fitoren.
“Ne luajtëm mirë në kundërsulm, dhe megjithëse nuk i shfrytëzuam në maksimum të gjitha rastet që patëm për të shënuar golin e tretë, ne jemi të kënaqur. Shpresoj që të festojmë së bashku me tifozët tanë në ndeshjen e dytë”, tha ai.
Duke folur për Sky Sport Italia, ai këmbënguli se skuadra e tij rrezikoi pak në “Stadio Olimpico”.
“Ishte një performancë e fokusuar me inteligjencë dhe pjekuri. Roma pati rastet e saj, më pas goli i parë na dha më shumë besim, bëmë gjënë e duhur me topin në zotërim dhe pa top. Kishim qëndrueshmëri në pjesën e dytë dhe nuk i lamë shumë hapësira Romës. E dinim që, nëse do të qëndronim solidë dhe të disiplinuar në prapavijë, mund të krijonim shanset tona”, u shpreh Alonso.

Fitorja ndaj Romës se çoi në 47 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje.
“Është një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Do të vlerësoja mentalitetin e fortë të ekipit, një nivel konstant përqendrimi. Ne nuk duam të ndalemi tani”, përfundoi trajneri spanjoll.



