Antonelli i sinqertë: Nuk e meritova pozitën e parë
A

Antonelli i sinqertë: Nuk e meritova pozitën e parë

Në garën e Spanjës, të zhvilluar për herë të parë në pistën e re të Madridit, piloti Kimi Antonelli regjistroi fitoren e tij të tetë të sezonit në Formula 1. Megjithatë, ndryshe nga fitoret e mëparshme, ky sukses për liderin e ri të kampionatit erdhi kryesisht falë fatit.

Italiani mori kryesimin e garës falë një kthese vendimtare të ngjarjeve, kur komisarët e garës aktivizuan “Virtual Safety Car” (Makinën Virtuale të Sigurisë).

Në atë moment, Antonelli hyri dhe ndërroi gomat, ndërsa Lando Norris që kryesonte ndodhej në vijën e drejtë të start-finishit.

Me këtë fitore, Antonelli e thelloi më tej epërsinë e tij në kampionat ndaj Russell, por piloti nga Bolonja pati një reagim më të përmbajtur:

“Sigurisht që nuk ishte mënyra se si doja të fitoja. Mendoj se meritoja vendin e dytë. Norris e meritonte fitoren dhe më erdhi keq për të”.

“Komunikimi me ekipin ishte thelbësor që më lajmëruan dhe u përpoqa të ngadalësoja pak shpejtësinë në sektorin e fundit për të parë nëse mund ta kapja atë pikërisht para hyrjes në bokse. Ndonjëherë fati të buzëqesh dhe këtë herë gjërat shkuan në favorin tonë”, tha Antonelli.

“Xhirot e fundit nuk ishin të lehta, veçanërisht ato të kaluara pas Leclerc. Nuk dija nëse duhej të ushtroja presion apo të ruaja gomat. Ishte një situatë delikate, por duhet të them se tregova shumë durim. Pasi ai hyri në bokse, kisha pistë të lirë përpara dhe arrita të gjeja ritmin tim“, tha piloti i Mercedes.

“Ende nuk po mendoj për titullin. Kanë mbetur ende tetë ose nëntë gara, ndaj duhet të vazhdojmë të japim më të mirën. Nuk i dihet kurrë se si mund të shkojnë gjërat, prandaj është e rëndësishme të japim gjithmonë maksimumin”, tha Antonelli.

TË FUNDIT