Arbër Zeneli, një nga emrat më të njohur dhe kontribuues në historinë e Kombëtares së Kosovës, ka thyer heshtjen rreth mungesës së tij të gjatë në përfaqësuese, duke folur hapur për marrëdhënien e tensionuar me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Në një intervistë për të përditshmen suedeze Aftonbladet, të cilën e përcjell Gazeta Express, 30-vjeçari që numëron 33 paraqitje dhe 9 gola me fanellën e Kosovës, konfirmon se dëshira për të përfaqësuar vendin e tij nuk ka munguar asnjëherë, por përplasjet me FFK-në kanë krijuar një distancë që ende nuk është kapërcyer.
“Synimi për të luajtur për Kosovën gjithmonë ekziston. Por mes meje dhe FFK-së ka disa çështje të pazgjidhura. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat,” u shpreh Zeneli.
Zeneli zbuloi se problemet kanë filluar rreth dy vite më parë, por preferoi të mos zbulojë detaje, duke theksuar se situata nuk është sqaruar as brenda vetë institucioneve.
“Ka ndodhur një situatë para dy vitesh. Nuk dua të hyj në detaje në media, sepse ende nuk është sqaruar se kush kishte të drejtë e kush jo,” shtoi ai.
I pyetur nëse mungesat në Kombëtare janë rezultat i mosftesës apo vendimit të tij për të mos u paraqitur, Zeneli tha se arsyeja është kombinim i të dyjave.
“Dua të diskutoj situatën me personat e përfshirë. Mund të ketë qenë një keqkuptim. Nuk pajtohem me atë që është thënë,” u shpreh sulmuesi.
Megjithatë, Zeneli nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Kombëtare, nëse arrihet një mirëkuptim me drejtuesit e FFK-së.
“Absolutisht. Kosova është kombëtarja ime. Ishte zgjedhja ime kur isha 20-21 vjeç, sepse ata kishin një vizion. Shpresoj që të qëndrojnë besnikë ndaj atij vizioni,” theksoi ai.
Një detaj interesant është se vëllai i Arbërit, Besfort Zeneli, tashmë është pjesë e kombëtares së Suedisë, gjë që mund të çojë në një përballje të veçantë mes dy vëllezërve, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Rastësia ka bërë që pikërisht sonte, më 8 shtator, Kosova të përballet me Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e dytë të grupit. Të dyja skuadrat do të takohen sërish më 13 tetor, në stadiumin “Ullevi” të Goteborgut.



