Argjentina rikthehet në Kampionatin Botëror të Rallyt
A

Argjentina rikthehet në Kampionatin Botëror të Rallyt

Argjentina pritet të rikthehet në kalendarin e Kampionatit Botëror të Rally-t (WRC) në vitin 2028, për herë të parë që nga viti 2019, pasi ka nënshkruar një marrëveshje shumëvjeçare.

Vendi i Amerikës së Jugut ka një histori të pasur në WRC, me etapat e tij të famshme në terrene shkëmbore dhe zhavorr, të cilat ishin pjesë e kampionatit nga viti 1980 deri në vitin 2019, me përjashtim të viteve 1995 dhe 2010.

Rikthimi ishte planifikuar edhe për vitin 2020, por gara u anulua për shkak të pandemisë COVID-19.

Tani, WRC ka arritur marrëveshje me qeverinë e provincës së Kordobës, ku do të organizohet sërish gara.

Guvernatori i Kordobës, Martin Llaryora, deklaroi se Rally është pjesë e historisë dhe pasionit të këtij rajoni, por gjithashtu sjell turizëm dhe vende të reja pune.

Zona sportive pranë stadiumit Mario Alberto Kempes do të shërbejë si qendër servisi për ekipet. Ndërkohë, po punohet edhe në përgatitjen e itinerarit, ku pritet të rikthehen disa nga etapat më të famshme, përfshirë El Condor.

FIA do të vëzhgojë një garë testuese në mars të vitit të ardhshëm, e cila do të zhvillohet në kuadër të kampionatit rajonal FIA CODASUR.

Argentina, 2017

Rikthim i rëndësishëm për WRC-në

Drejtori ekzekutiv i WRC Promoter, Eric Boullier, u shpreh se Argjentina ka një vend të veçantë në historinë e kampionatit, duke theksuar atmosferën e jashtëzakonshme që krijojnë tifozët në Kordobë.

Edhe presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, kishte paralajmëruar rikthimin e garës në shtator, duke theksuar rëndësinë e traditës automobilistike dhe pasionin e tifozëve argjentinas.

Ndërkohë, ende nuk është e qartë se si rikthimi i Argjentinës do të ndikojë në dy garat e tjera të Amerikës së Jugut, në Kili dhe Paraguai, të cilat janë pjesë e kalendarit për vitin 2027.

TË FUNDIT