Arsenali është i vendosur të mbajë në skuadër një nga figurat më të rëndësishme të viteve të fundit. Bukayo Saka, 24 vjeç, pritet të nënshkruajë një kontratë të re rekord me klubin londinez, me qëllim që të sigurohet e ardhmja e tij afatgjatë në “Emirates Stadium”.
Ylli i krahut është një nga lojtarët më të dashur për tifozët dhe një element kyç në skemat e trajnerit Mikel Arteta.
Edhe pse Saka ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, drejtuesit e Arsenalit nuk duan të lënë asgjë në mëshirë të kohës dhe kërkojnë t’ia rinovojnë marrëveshjen me kushte të përmirësuara.
Sipas asaj që raporton Daily Express, negociatat po ecin në mënyrë pozitive dhe pritet që Saka të bëhet një nga lojtarët më të paguar në historinë e klubit.
Lojtari është i lidhur ngushtë me Arsenalin dhe ka shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën në Londër, duke refuzuar interesin e disa klubeve të mëdha europiane.
Këtë verë, Arsenali ka qenë aktiv në merkato duke përforcuar skuadrën me emra si Viktor Gyökeres dhe Eberechi Eze, por drejtori sportiv Andrea Berta e ka cilësuar zgjatjen e kontratës së Sakës si prioritetin numër një të klubit.
Një marrëveshje e re jo vetëm që do ta blindonte yllin anglez nga interesimi i rivalëve, por gjithashtu do të forconte rolin e tij udhëheqës brenda skuadrës, në një periudhë ku Arsenali synon titullin në Premier League dhe kthimin në elitën e futbollit europian.



