Transferimi i Jasir Asanit te gjiganti iranian Esteghlal po cilësohet si një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së fundit në Iran, duke ngjallur komente dhe diskutime të shumta në mediat vendase.
Futbollisti i kombëtares shqiptare shihet si një vlerë e shtuar jo vetëm për ekipin, por edhe për vetë kampionatin iranian.
Sipas mediave të Teheranit, klubi nga kryeqyteti ka marrë një rrezik të madh financiar, sidomos në një kohë kur përballet me sfida ekonomike, transmeton AutoPortali.
Kontrata e Asanit për dy sezone kap vlerën e 2.6 milionë dollarëve, që i bie rreth 1.3 milionë USD në vit, shumë kjo e pazakontë për standardet e ligës iraniane.
Ajo që ka shtuar edhe më shumë debatet është fakti se kjo pagë nuk do të taksohet, ndryshe nga rrogat e zakonshme në Iran që tatohen rëndë, madje edhe për të ardhura mesatare deri në 500 USD.
Megjithatë, përtej kostos së lartë, pritshmëritë janë shumë të mëdha, mediat iraniane e quajnë Asanin “Arjen Robben i Azisë”, duke theksuar se ai ka shkëlqyer në K League-n e Koresë së Jugut dhe në ndeshje të Ligës së Kampionëve të Azisë.
Aftësia e tij për të luajtur në të dy krahët e sulmit e bën ideal për modulin 4-2-3-1 të trajnerit Ricardo Sá Pinto.
Sidoqoftë, jo gjithçka është pozitive rreth këtij transferimi, në Iran është ngritur shqetësimi për sjelljen e Asanit jashtë fushe, duke iu referuar problemeve të mëparshme të disiplinës dhe çështjeve morale gjatë kohës së tij në klubin korean Gwangju FC.
Mediat paralajmërojnë se drejtuesit e Esteghlalit duhet të jenë të gatshëm ta menaxhojnë futbollistin edhe në aspektin personal, për të shmangur përsëritjen e situatave të mëparshme.
Në çdo rast, ekspertët sportivë në Iran janë të bindur se potenciali i Asanit në fushë mund të kompensojë çdo rrezik jashtë saj.
Ai konsiderohet një lojtar me ndikim të menjëhershëm në cilësinë e skuadrës dhe një përforcim serioz për objektivat e klubit në garat vendase dhe ndërkombëtare. /AutoPortali



