Mesfushori shqiptar, Kristjan Asllani, është shumë pranë një transferimi nga Interi te Torino, pasi bisedimet mes dy klubeve kanë hyrë në fazën përfundimtare.
23-vjeçari duket se ka preferuar kalimin te Torino pasi nuk arriti të dakordohet për kushtet personale me klubin tjetër italian, Bologna, transmeton AutoPortali.
Asllani iu bashkua Interit nga Empoli, fillimisht në formë huazimi dhe më pas u ble për një shumë totale prej 15.7 milionë euro në vitin 2023.
Megjithëse te Interi ka treguar potencial, hapësirat e kufizuara në formacion kanë bërë që mesfushori të kërkojë më shumë minuta në një skuadër tjetër të Serie A.
Marrëveshja mes Interit dhe Torinos pritet të jetë në formën e një huazimi njëvjeçar me një tarifë fillestare prej 1.5 milionë euro, ndërsa është përfshirë edhe një opsion blerjeje në fund të sezonit për 12 milionë euro.
Sa i përket pagës, Asllani pritet të përfitojë rreth 2 milionë euro në vit nga kontrata e tij e re.
Ky transferim shihet si një hap i rëndësishëm në karrierën e Asllanit, i cili kërkon të rikthehet në qendër të vëmendjes dhe të ketë më shumë ndikim në fushë, në një klub që premton më shumë hapësirë dhe vazhdimësi në formacionin titullar. /AutoPortali



