Mirlind Daku vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, sidomos në Rusi, pas atij veprimi të pamatur që bëri pas ndeshjes ndërmjet Shqipërisë e Kroacisë.
Daku u dënua me dy ndeshje moslojë nga UEFA pasi me altoparlant nisi një këngë fyese ndaj serbëve e maqedonasve.
Skuadra e tij, Rubin Kazani, ka paralajmëruar dënimin e Dakut, që në një intervistë të gjatë për një medium rus kërkoi falje dhe shprehu keqardhje për rastin e ndodhur pas ndeshjes me Kroacinë.
Por, a po frikësohet Daku të kthehet në Rusi?
Për këtë ka folur babai i futbollistit, Fehmiu, për “sport24.ru”.

“Për katër apo pesë ditë djali im do të arrijë në lokacionin e Rubinit. Mirlindi nuk frikësohet të kthehet në Rusi. Ai ka kuptuar që ka bërë gabim. Pres që edicioni i ardhshëm të jetë më i miri në karrierën e djalit tim”, ka thënë Fehmi Daku.
Sipas mediave ruse, Rubin Kazani i ka përfituar 174 mijë euro nga UEFA për paraqitjen e Dakut në Evropian. Shifër të njëjtë ka përfituar edhe Lokomotiva e Moskës për paraqitjen e Mario Mitajt.



