Ballkani fiton Kupën, Prishtina mbetet jashtë Evropës
B

Ballkani fiton Kupën, Prishtina mbetet jashtë Evropës

Pas titullit të kampionit, Ballkani e ka fituar edhe Kupën e Kosovës në futboll, për herë të parë në histori të klubit. Suharekasit, në finale triumfuan pas penalltive ndaj Prishtinës.

Ndeshja deri në fundin e penalltive ishte jashtëzakonisht dramatike, derisa rezultati pas 90 minutave ishte 2:2.

Suharekasit ishin në avantazh prej 2:0, por që kryeqytetasit gjetën forcën të shkrinin epërsinë.

Ishte Walid Hamidi që kaloi në epërsi në minutën e 21-të të ndeshjes, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Meriton Korenica dyfishoi epërsinë e Ballkanit në minutën e 52-të, e më pas ishte gjithçka për Prishtinën.

Fillimisht, Albin Krasniqi ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 77-të nga penalltia.

E vetëm pesë minuta më pas, pikërisht Krasniqi shënoi për të barazuar rezultatin.

Gola nuk pati në vazhdime, kurse në penallti, Ballkani fitoi 4:2.

Me këtë humbje, Prishtina përshëndetet edhe nga pjesëmarrja në garat evropiane për edicionin e ardhshëm.

E nga kjo humbje e Prishtinës përfitoi Malisheva, që tani merr pjesë në kualifikime të Ligës së Konferencës nga pozita e katërt në renditjen tabelare.

TË FUNDIT