Sulmuesi italian Mario Balotelli, i cili aktualisht është pa ekip, foli për La Repubblica para një prej seancave të tij stërvitore.
“Dua të jem gati, do të doja shumë të qëndroja në Itali këtë herë”.
Balotelli është lojtar i lirë që nga korriku i kaluar kur i skadoi kontrata me skuadrën turke Adana Sport dhe emri i tij është rikthyer në qarkullim disa herë, jo vetëm në nivel klubi.
“Ajo që ka rëndësi për mua është të luaj, nuk mendoj për një rikthim në kombëtare”, ka thënë mes të tjerash ish-sulmuesi i Milanit, Interit dhe Manchester Cityt.

Për të gjetur një ekip të ri, Super Mario ka afat deri më 12 dhjetor, datë në të cilën skadon periudha e regjistrimit për lojtarët e lirë. Karriera e tij shënon 495 ndeshje dhe 210 gola për klube dhe 36 paraqitje me 14 gola për ekipin kombëtar.



