Bashkimi do ta kërkojë sonte kualifikimin në FIBA Europe Cup
B

Bashkimi do ta kërkojë sonte kualifikimin në FIBA Europe Cup

Skuadra e Bashkimit nga Prizreni është vetëm një hap larg nga realizimi i një ëndrre të madhe kualifikimi për herë të parë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, një prej garave më të rëndësishme evropiane për klube të basketbollit.

Pas një fitoreje të madhe në ndeshjen e parë kundër ekipit polak Anwil, e cila u zhvillua në Prizren dhe përfundoi me rezultat 80:75 në të mirë të portokallezinjve, Bashkimi do të tentojë të ruajë këtë epërsi sonte në ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Poloni.

Përfaqësuesi nga Kosova po merr pjesë për herë të parë në fazën kualifikuese të kësaj gare prestigjioze dhe ka një mundësi reale që të shkruajë historinë, duke u bërë klubi i radhës nga vendi që depërton në garat ndërkombëtare të FIBA-s.

Sfida nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Anwil konsiderohet një nga ekipet më të forta në basketbollin polak.

Ky klub ka përvojë të pasur në gara evropiane dhe vetëm dy vite më parë kishte arritur të triumfonte në FIBA Europe Cup. Edhe sezonin e kaluar, Anwil shkoi deri në raundin e 1/16-tës, çka tregon për cilësinë dhe eksperiencën e lartë të skuadrës.

Megjithatë, Bashkimi ka treguar vendosmëri dhe përkushtim në ndeshjen e parë dhe besimi është i lartë në kampin prizrenas se mund të përballojnë presionin e ndeshjes në transfertë.

Në rast të kualifikimit, Bashkimi do të bëhet pjesë e Grupit F në fazën e grupeve, ku tashmë ndodhen kampionia e Kosovës, Trepça, si dhe skuadrat e njohura evropiane PAOK (Greqi) dhe Braunschweig (Gjermani).

Ndeshja vendimtare luhet sonte në qytetin e Włocławek të Polonisë, me fillim nga ora 18:30, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të FIBA-s në YouTube. /AutoPortali

TË FUNDIT