Bashkimi e fiton ndeshjen e parë kualifikuese në FIBA Europe Cup
B

Bashkimi e fiton ndeshjen e parë kualifikuese në FIBA Europe Cup

Bashkimi ka shkruar një kapitull të rëndësishëm në historinë e tyre, duke siguruar fitoren e parë në kualifikimet për FIBA Europe Cup, ndaj skuadrës Anwil, me rezultat të ngushtë 80:75.

Në një ndeshje tejet të luftuar dhe emocionale, skuadra prizrenase arriti të tregojë karakter dhe vendosmëri, duke e mbyllur me sukses sfidën përballë një kundërshtari të fortë.

Që nga fillimi i takimit, vendasit u treguan më të organizuar dhe efikas në parket, duke dominuar çerekun e parë me rezultat 24:16, transmeton AutoPortali.

Loja e shpejtë, mbrojtja agresive dhe gjuajtjet e sakta bënë diferencën në këto 10 minuta të parë.

Megjithatë, skuadra mysafire u rikthye fuqishëm në çerekun e dytë, duke përmbysur ritmin e lojës dhe duke fituar këtë pjesë me rezultat 15:21, çka bëri që pjesa e parë të përfundonte me një rezultat të ngushtë në favor të Bashkimit.

Pjesa e dytë vazhdoi me intensitet të lartë, “Arpagjik’t”, siç njihen ndryshe prizrenasit, rimorën kontrollin në periodën e tretë, duke fituar këtë çerek me rezultat 19:14. Lojtarët e trajnerit dhanë maksimumin në mbrojtje, duke shfrytëzuar gabimet e kundërshtarit për të krijuar një epërsi të re.

Dhjetëminutëshi i fundit ishte dramatik, deri në sekondat e fundit, diferenca mes dy ekipeve ishte vetëm një pikë, duke mbajtur të gjithë tifozët në ankth.

Por, në momentet vendimtare, Bashkimi tregoi qetësi dhe pjekuri, duke arritur të realizojë pikët vendimtare dhe të mbyllë ndeshjen me pesë pikë epërsi – 80:75.

Kjo fitore e rëndësishme i afron edhe më shumë ëndrrës për një pjesëmarrje historike në fazën grupore të FIBA Europe Cup, dhe është një dëshmi e progresit që ka bërë skuadra në skenën ndërkombëtare. /AutoPortali

TË FUNDIT