Bayer Leverkuseni është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, pasi mbrëmë ka barazuar 1:1 në udhëtim te West Ham, ndërsa ndeshjen e parë e kishte fituar me 2:2.
Kjo ishte ndeshja e 44-t me radhë pa pësuar humbje për skuadrën gjermane, tek e cila ndër më të dalluarit padyshim që është edhe shqiptari Granit Xhaka.
Pas ndeshjes, ai për “TNT Sports” ka thënë se ka qenë ndeshje shumë e vështirë.
“E kemi ndierë atmosferën në pjesën e dytë, tipike turmë angleze. Në mënyrë të pabesueshme po e shtynin West Hamin para. Ishim me fat në pjesën e parë, por portieri bëri disa pritje. Në pjesën e dytë patëm fytyrë tjetër. E kontrolluam ndeshjen dhe kjo është forca jonë. Në përgjithësi, jemi të lumtur që avancuam tutje”, ka thënë fillimisht Xhaka.
Xhaka foli edhe për suksesin e fundjavës, kur Leverkuseni fitoi titullin e parë të Bundesligës gjermane pas historisë 120-vjeçare të klubit. Leverkuseni ndali dominimin e Bayern Munichut që kishte 11 sezone rresht duke e fituar Bundesligën.

“Është e pabesueshme, pas 7 vjetësh në Gjermani, të fitosh trofeun e parë, titullin e parë në histori të Leverkusenit është e pabesueshme. Por ne duam më shumë. Kjo skuadër dëshiron të fitojë çdo gjë. Jemi në gjysmëfinale dhe nëse vjen deri këtu dëshiron të fitosh. Këtë po e synojmë”, deklaroi Xhaka.
Ai ka shtuar se karakteri i skuadrës është ajo që e veçon Leverkusenin.
“Kemi shënuar 30 gola pas minutës së 80-të dhe kjo është e pabesueshme për shkak të cilësisë, por edhe për shkak të mentalitetit. Besojmë deri në fund. Kjo skuadër ka karakter tjetër, tjetër mentalitet. Këtë e kemi shfaqur çdo tre ditë, edhe në Bundesligë edhe në Evropë. Jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj skuadre”, është shprehur Xhaka që në fund foli edhe për gjysmëfinalen me Romën.
“Roma është skuadër e Ligës së Kampionëve, sipas opinionit tim. Me De Rossin, trajnerin e ri, po bëjnë shumë mirë. Ndeshjen e parë e luajmë si mysafirë. Do të mundohemi të marrim diçka atje, e më pas të provojmë t’ua dhurojmë tifozëve finalen në Dublin”, deklaroi kapiteni shqiptar i Zvicrës.



