Ish-mbrojtësi i krahut, Cafu ka dhënë një intervistë të gjatë për “Il Messaggero”, gjatë së cilës, përveç rishikimit të eksperiencave të tij me Romën dhe Milanin, ka trajtuar tema të ndryshme.
“Më i forti nga të gjithë, me të cilin kam luajtur, është padyshim Ronaldinho Gaucho. Ajo që pashë të bënte me topin është e pashpjegueshme. Pastaj vjen fenomeni Ronaldo. Nëse nuk do të ishte lënduar, do të kishte thyer çdo rekord. I treti? Ahhh, jam vërtet në telashe, sepse kam luajtur me lojtarë shumë të mirë dhe të fortë: nga Shevchenko te Rivaldo, përmes Seedorf, Pirlo, Totti, Djalminha, janë kaq shumë. Madje për një kohë mendoja se Pato mund të bëhej qendërsulmuesi më i fortë në botë. Nëse vërtet duhet të them një emër, atëherë po zgjedh Tottin. Me të vërtetë, Francesco e meriton”.

Braziliani më pas ka folur për të arriturat e tij. “Në karrierën time kam fituar diçka. Dy Kupa Bote, dy Kupa të Amerikës, një Kupë Konfederatash, dy tituj kampioni në Itali, një në Brazil, një Champions League, dy Superkupa italiane, dy ‘Copa Libertadores’, dy ‘Recopa’ të Amerikës së Jugut, një Superkupë të Amerikës së Jugut, dy Kupa Interkontinentale, plus Kupën e Botës për Klube, një Kupë të Fituesve të Kupave, një Superkupë Evropiane. Nuk e di nëse po harroj diçka… Megjithatë, nëse përmendet një rekord, më pëlqen të kujtoj se jam i vetmi futbollist në histori që ka luajtur tri finale radhazi të Kupës së Botës”.
Së fundi, për mbrojtësit e tij të djathtë të preferuar: “Më pëlqen Walker te City, Hakimi i PSG dhe Alexander Arnold i Liverpool”.



