Carvajal lëndohet përseri, pritet të mungojë 2-3 muaj
C

Carvajal lëndohet përseri, pritet të mungojë 2-3 muaj

Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, pritet të mungojë mbi dy muaj pasi klubi njoftoi se ai do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në gju.

Kapiteni i madrilenëve u rikthye pas dëmtimit për të luajtur si zëvendësues në fitoren 2-1 ndaj Barcelonës të dielën, por 33-vjeçari do të mungojë në ndeshjen e Champions League kundër Liverpoolit dhe me shumë gjasë edhe ndaj Manchester Cityt më 10 dhjetor.

Sipas deklaratës së klubit, Carvajal është diagnostikuar me “prani të një trupi të lirshëm në nyjen e gjurit të djathtë” dhe do t’i nënshtrohet një artroskopie. Klubi nuk ka dhënë afat të saktë rikuperimi.

Mbrojtësi spanjoll kishte pësuar një dëmtim të rëndë në të njëjtën këmbë në vitin 2024, që e mbajti jashtë për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar.

Mediat spanjolle raportojnë se rikuperimi i tij këtë herë mund të zgjasë nga gjashtë deri në dhjetë javë, duke bërë që ai të humbasë edhe ndeshjet kualifikuese të Spanjës për Kupën e Botës në nëntor. /AutoPortali

TË FUNDIT