Që nga legjenda për romakët që spërkatën me kripë te fushat e Kartagjenës, te djegia e puseve të naftës nga Iraku në Kuvajt, deri te rrënimi i ullishteve palestineze nga Izraeli – aktet e qëllimshme të shkatërrimit mjedisor kanë qenë prej kohësh një taktikë ushtarake, transmeton AutoPortali.
Por, ndërsa ushtritë dhe udhëheqësit e tyre janë mbajtur përgjegjës për viktimat njerëzore të dhunës së tyre, bota natyrore ka qenë viktimë e heshtur, shpesh e anashkaluar, edhe kur shkatërrimi i saj ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e njerëzve që ajo mbështet.
Në vitet e fundit, një fushatë globale është zhvilluar për të njohur “ekocidin” – një akt dhune ndaj natyrës, njësoj siç është gjenocidi ndaj njerëzve – si një krim sipas ligjit ndërkombëtar.
Çfarë është ekocidi?
Koncepti i ekocidit daton në vitet 1970, kur për herë të parë u përdorë nga biologu Arthur Galston për të përshkruar shpyllëzimin masiv të shkaktuar nga përdorimi i lëndës kimike Agent Orange nga forcat amerikane gjatë Luftës së Vietnamit.
Ky term u diskutua në disa samite mjedisore ndër vite, por gradualisht u harrua, derisa në vitet 2000 u ringjall nga avokatja vizionare e ndjerë, Polly Higgins.
Kur Higgins nisi fushatën për kriminalizimin e ekocidit, ajo e përkufizoi si:
“Dëmtimi i gjerë, shkatërrimi ose humbja e ekosistemeve të një territori të caktuar, qoftë nga veprimtaria njerëzore apo nga shkaqe të tjera, në një shkallë të tillë që kënaqësia paqësore e banorëve të atij territori është ose do të jetë seriozisht e kufizuar.”
Statuti i Romës është traktati që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) dhe përcaktoi katër krime ndërkombëtare: gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimi i agresionit. Aktivistët duan që ekocidi të bëhet krimi i pestë kundër paqes – duke synuar dëmet më të rënda ndaj mjedisit, zakonisht në shkallë industriale ose në territore të mëdha, dhe duke bërë përgjegjës vendimmarrësit kryesorë.
A nuk është tashmë ekocidi një krim?
Në njëfarë mase, po – të paktën në kontekstin e luftës – sipas një nënklauzole të panjohur të Statutit të Romës, shkruan The Guardian.
Neni 8(2)(b)(iv) e konsideron krim lufte, në kontekstin e një konflikti të armatosur ndërkombëtar, veprimin e:
“Nisjes me qëllim të një sulmi, duke ditur që një sulm i tillë do të shkaktojë […] dëmtim të gjerë, afatgjatë dhe të rëndë të mjedisit natyror, i cili është qartësisht i tepruar në lidhje me përfitimin ushtarak konkret dhe të drejtpërdrejtë që pritet.”
Megjithatë, nuk është ngritur asnjë akuzë mbi këtë dispozitë. Ekspertët thonë se kjo ndodh për shkak të pragut të lartë që parashikon neni – dëmi duhet të jetë i qëllimshëm, shumë i gjerë, afatgjatë dhe i rëndë, dhe gjithashtu “qartësisht i tepruar”.
Si do të ndihmonte shpallja e ekocidit si krim më vete?
Propozimi aktual synon uljen e këtij pragu.
“Akte të paligjshme ose të pamatura, të kryera me dijeni që ka një gjasë të konsiderueshme për dëme të rënda dhe të gjera ose afatgjata ndaj mjedisit.”
Kjo do të vlente sidomos jashtë kontekstit të luftës, duke mbajtur përgjegjës shtetet dhe korporatat për dëmtimet mjedisore, pavarësisht rrethanave.
Por gjithashtu do të ndihmonte edhe gjatë konflikteve të armatosura, sipas Jojo Mehta, drejtuese e organizatës “Stop Ecocide International”, e cila thotë se kjo “do të krijonte një mjet të qartë për gjykim ligjor edhe në kohë lufte”,
Cili është procesi ligjor?
Çështjet sipas Statutit të Romës shqyrtohen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë, njësoj si çështja për gjenocid që Afrika e Jugut ngriti kundër Izraelit. Procedura mund të nisë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose nga shtete apo individë që i kërkojnë prokurorit të ICC të nisë hetime.
Megjithatë, ICC përdoret vetëm si mjet i fundit. Çdo shtet apo organizatë që dëshiron të paraqesë një rast atje duhet të ketë ezauruar më parë të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit. Kjo po ndodh aktualisht në Ukrainë, ku prokurorët shtetërorë po ndjekin çështje për dëmet mjedisore që Rusia ka shkaktuar që nga fillimi i pushtimit, shkruan The Guardian.
A është e mundshme të ndodhë dhe cilat janë pengesat?
Ekocidi ishte afër përfshirjes në Statutin e Romës që në fillim në vitet 1990. Ringjallja e sotme, sipas Mehta, vjen kryesisht për shkak të përpjekjeve të Ukrainës pas pushtimit rus.
Njëkohësisht, një panel i pavarur juristësh i mbledhur nga Fondacioni Stop Ecocide, propozoi një përkufizim ndërkombëtar që është bërë frymëzim për shumë shtete që po miratojnë ligje të tyre në nivel kombëtar. /AutoPortali/



