Honda NSX është një ikonë e automobilizmit dhe shumë njerëz do ta dëshironin, pavarësisht gjendjes së saj. Një rast i tillë ndodhi së fundmi në Japoni, ku një Honda NSX e gjeneratës së parë, e vitit 1991, u nxor në ankand pasi ishte dëmtuar rëndë nga përmbytjet.
Para përmbytjes, makina ishte mirëmbajtur dhe modifikuar vazhdimisht nga pronari. Por në fillim të vitit 2024, uji arriti pothuajse deri te dorezat e dyerve, duke krijuar rrezik të madh për motorin, kabinën dhe sistemet elektronike.
Makina kishte rreth 236.776 kilometra dhe u nxor në shitje në gjendjen që ndodhej, pa garanci se mund të riparohej. Çmimi fillestar ishte vetëm 1 milion jenë, rreth 5.700 euro.
Megjithatë, interesi ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë ankandit u bënë 93 oferta, ndërsa në fund fituesi ofroi 8.004.000 jenë, rreth 45.000 euro, më shumë se tetë herë mbi çmimin fillestar.
,fit(700:467))
Makina kishte pasur edhe investime të mëdha para përmbytjes. Ndër të tjera, pronari kishte zëvendësuar sistemin e drejtimit dhe ABS-in, si dhe kishte kryer një remont të plotë të motorit V6 3.0 litra, i cili kushtoi rreth 11.500 euro.
Tani pronari i ri duhet të vendosë nëse ia vlen ta restaurojë këtë NSX ikonike apo ta përdorë për pjesë këmbimi. Nëse synon ta rikthejë në rrugë, riparimet mund të jenë jashtëzakonisht të kushtueshme për shkak të dëmeve të shkaktuara nga përmbytja.



