Daku, mesazh të qartë Sylvinhos
D

Daku, mesazh të qartë Sylvinhos

Mirlind Daku duket se ka rigjetur formën më të mirë në në prag të Kampionatit Evropian. Atij i kanë mjaftuar vetëm 35 minuta për të dhënë një asistim dhe shënuar një gol në ndeshjen që Rubin Kazan zhvilloi në shtëpi përballë Akhmat Groznyt.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte si gjithmonë titullar në majë të sulmit, teksa në minutën e 12-të shërbeu bukur për Randjelovic në qendër të zonës, i cili e pati të lehtë ta shtyjë topin në rrjetë.

Në të 35-ën Daku ia doli të shënojë vetë, duke gjetur kështu golin e parë për vitin 2024 me Rubin Kazanin dhe të pestin sezonal. Pas një krosimi nga krahu, Daku goditi bukur me kokë, por topi u përplas në tërthorëse dhe iu rikthye sërish, teksa këtë herë sulmuesi nuk fali, duke e shtyrë në rrjetë.

Vlen të theksohet se kjo është faza e dytë e kampionatit rus, e cila për shkak të temperaturave, ka rinisur vetëm më 2 mars. Rubin Kazan fitoi me rezultatin 2-1.

Me këtë paraqitje, Daku i ka dërguar mesazh të qartë përzgjedhësit Sylvinho, i cili nuk e grumbulloi në dy miqësoret me Kilin dhe Suedinë.

TË FUNDIT