Dy klubet shqiptare, Drita nga Kosova dhe Shkëndija nga Maqedonia e Veriut, kanë mësuar sot (e premte) kundërshtarët e tyre në fazën e ligës së Ligës së Konferencës, pas shortit të tërhequr në Monaco.
Për herë të parë në historinë e këtij kompeticioni, dy skuadra shqiptare do të përballen me njëra-tjetrën në fazën e ligës, transmeton AutoPortali.
Dueli i shumëpritur ndërmjet Dritës dhe Shkëndijës do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje që pritet të zgjojë interes të madh tek tifozët shqiptarë në gjithë rajonin.
Kundërshtarët e Dritës:
AZ Alkmaar (Holandë)
Rayo Vallecano (Spanjë)
Omonoia (Qipro)
KuPS Kuopio (Finlandë)
Shelbourne (Irlandë)
Shkëndija (Maqedonia e Veriut)
Drita do të zhvillojë tri ndeshje si vendase dhe tri si mysafire në kuadër të këtij formati të ri të garës evropiane.
Kundërshtarët e Shkëndijës:
Slovan Bratislava (Sllovaki)
Rayo Vallecano (Spanjë)
Jagiellonia (Poloni)
Shelbourne (Irlandë)
AEK Larnaca (Qipro)
Drita (Kosovë)
Edhe Shkëndija do të ketë një kalendar të ngjeshur, me ndeshje interesante si në shtëpi ashtu edhe në transfertë.
Format i ri, emocione të reja
Në sezonin 2025/26, UEFA ka implementuar formatin e ri të “fazës së ligës”, ku 36 skuadra garojnë në një tabelë unike, duke luajtur nga gjashte ndeshje secila me kundërshtarë të ndryshëm. Ndeshjet nisin më 2 tetor dhe përfundojnë më 18 dhjetor. Tetë skuadrat e para kualifikohen automatikisht në 1/8 e finales, ndërsa ato nga vendi i 9-të deri në të 24-in do të luajnë në një play-off për të vazhduar garën.
Për Dritën dhe Shkëndijën, pjesëmarrja në këtë fazë është një sukses historik dhe një mundësi unike për të dëshmuar vlerat e futbollit shqiptar në arenën evropiane.



