Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga 13 268 turistë gjatë muajit korrik, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë rritje e numrit të turistëve për muajin korrik shënohet edhe në Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Në një intervistë për ATSH-në, drejtoresha e parqeve arkeologjike Apoloni dhe Bylis, Ornela Durmishaj, nënvizoi interesin në rritje të turistëve vendas dhe të huaj ndaj parqeve arkeologjike.
Sipas Durmishaj, “të dhënat tregojnë se është tejkaluar si numri i vizitorëve ashtu edhe të ardhurat nga biletat, krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë”.
Ajo theksoi se numri i turistëve që vizituan Parkun Arkeologjik të Apolonisë gjatë muajit korrik shënon rritje me 18.4%, krahasuar me korrikun 2024.
“Kurse Parkun Arkeologjik të Bylisit gjatë korrikut e vizituan 903 vizitorë ose 97.2% vmë shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.”, theksoi Durmishaj.
Për sa i përket turistëve të huaj, Durmishaj tha se “këtë vit vijnë kryesisht nga Evropa Perëndimore”.
“Tipologjia e vizitorëve gjatë muajit korrik janë ata familjarë që vijnë më shumë nga Europa Perëndimore, si francezë, gjermanë, anglezë, holandezë, spanjollë. Por kemi edhe nga Europa Lindore si ukrainas, polakë, çekë etj”, theksoi ajo.
Ndërkohë të shumtë kanë qenë edhe turistët familjarë që kanë vizituar sitet arkeologjike.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.



