Formula 1 po shqyrton ende mundësinë që garat në Bahrejn dhe Arabinë Saudite të zhvillohen më vonë gjatë sezonit 2026, pavarësisht se fillimisht u shtynë për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimit të Autosport, drejtuesit e Formula 1 po punojnë për të rikthyer të paktën njërën nga dy garat në kalendar, me një nga opsionet që është periudha mes garave në Baku dhe Singapor gjatë shtatorit. Megjithatë, një ndryshim i tillë do të sillte ngarkesë të madhe logjistike dhe fizike për skuadrat, pasi fundi i sezonit tashmë ka një program shumë të ngjeshur.

Situata mbetet e paqartë për shkak të tensioneve në rajon, ndërsa Formula 1 ka konfirmuar se po përgatit edhe plane alternative në rast se konfliktet vazhdojnë deri në fund të vitit. Problem shtesë për ekipet janë kostot e transportit dhe pajisjet që vazhdojnë të jenë të bllokuara në Lindjen e Mesme.



