Mes shumë objektivave të ardhshëm të Interit, ka përfunduar së fundmi edhe Ardian Ismajli, si një zëvendësues i mundshëm i Acerbit dhe De Vrij, të cilët mund të largohen në fundin e sezonit.
Shumë emra janë përmendur në perspektivë, mes mundësive me kosto të ulët dhe goditjeve prospektive, por klubi milanez do ta ketë të vështirë të operojë, duke qenë se nuk është i vetmi ekip që do të duhet të rregullojë mbrojtjen në verën e ardhshme.
Sipas “calcermarcato.it”, Ismajli ka befasuar pozitivisht në javët e para të këtij sezonit. Juventusi prej disa ditësh ka shfaqur interesim për mbrojtësin e Kombëtares kuqezi, madje dërgoi edhe skaut për ta vëzhguar në Pragë, për duelin kundër Çekisë.

Ai shihet si zëvendësuesi ideal i Bremerit në afatin kalimtar të dimrit, por mesa duket do të duhet të mposht rivalitetin e Interit. Ismajli ka kontratë deri në vitin 2025 dhe është në diskutime për rinovimin e kontratës.



