Rei Manaj është duke shkëlqyer në kampionatin turk, me Sivaspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shënuar 17 gola në kampionat, për të ndjekur Edin Dzekon e Mauro Icardin të cilët janë të vetmit që kanë shënuar më shumë se ai në këtë edicion.
Paraqitjet e tij kanë bërë që për Manajn të ketë interesim nga klubet më të mëdha në Turqi e jo vetëm. Mediat turke kanë bërë të ditur se Galatasaray ka shfaqur interesim konkret për Manajn.
Por klubi i Stambollit është tërhequr nga gara kur ka mësuar se Sivasspor është i palëkundur në kërkesën e 10 milionë eurove për kartonin e tij, pasi nuk është gati të shpenzojë një shifër të tillë për lojtarin shqiptar.

Ndërkohë, mësohet se për Manajn së fundmi kanë shfaqur interes dy klubet spanjolle të Gefafes dhe Mallorcas, të dy në La Liga, të cilat duan t’i japin sulmuesit shansin për të treguar veten në elitë. Njëkohësisht, është edhe oferta nga Arabia Saudite i klubit të Al Taee, që ka fonde të mjaftueshme për të bindur lojtarin, nëse ky i fundit do të zgjedhë përfitimet ekonomike para objektivave sportiv në vijimin e karrierës.
Me pak fjalë, kjo do të jetë një verë e nxehtë për Manajn, i cili ndoshta do të bëjë një tjetër ndryshim sa i përket klubit në të cilin do të vazhdojë karrierën.



