SC Gjilani ka konfirmuar përmes një komunikate zyrtare se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Ardian Nuhiu, duke i dhënë fund një periudhe të bashkëpunimit që klubi e cilëson si korrekt dhe profesional.
Në deklaratën e publikuar sot, klubi gjilanas falënderon trajnerin për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë qëndrimit në krye të skuadrës, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme profesionale.
“SC Gjilani njofton opinionin publik, tifozët dhe mediat se pas një bashkëpunimi korrekt dhe profesional, në mënyrë të dyanshme është mbyllur bashkëpunimi me kryetrajnerin Ardian Nuhiu. Klubi e falënderon trajnerin për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në të ardhmen,” thuhet në njoftim.
Sipas raportimeve, rezultatet e dobëta në këtë sezon kanë qenë arsyeja kryesore që çuan në ndërprerjen e kontratës, duke e bërë të domosdoshme këtë ndarje në mënyrë konsensuale.
SC Gjilani nuk ka bërë ende të ditur se kush do ta drejtojë skuadrën në vazhdim, por ka paralajmëruar se së shpejti do të informojë publikun për hapat e ardhshëm në lidhje me stafin teknik dhe drejtimin e ekipit.



