Lewis Hamilton nuk po e përjeton aspak një sezon ëndrrash në vitin e tij debutues me Ferrarin. Në vitin e tij të parë me ngjyrat e skuderisë legjendare italiane, shtatë herë kampioni botëror nuk ka arritur ende një podium në garat e së dielës. I vetmi ngushëllim mbetet fitorja në Sprintin e zhvilluar në Kinë, por kjo është shumë pak, me britanikun që mbetet larg pritshmërive.
Kjo ka sjellë kritika të ashpra për performancën e tij të dobët në sezonin e parë me Ferrarin. Dhe ndër kritikët më të zëshëm mbetet Bernie Ecclestone.
Dhe kjo, ndonëse Hamilton ndodhet në vendin e gjashtë në renditjen e përgjithshme të pilotëve, me 109 pikë. Imagjinoni çfarë do të thoshte ish-shefi i Formulës 1, nëse Lewis nuk do ishte as në Top-10.
“Është më e mundur që makina e sigurisë të fitojë një garë, sesa që Hamilton të bëhet përsëri kampion bote”, është deklarata tronditëse që Ecclestone ka dhënë për “F1-Insider”.
Në një ton më të përmbajtur ka reaguar edhe Toto Wolff. Ish-shefi i Hamiltonit te Mercedesi ka dënuar një deklaratë tronditëse të britanikut të dhënë në Hungari, që bëri xhiron e botës kur tha: “Jam një i pavlefshëm”.



