Edona Zhegrova mungon në ndeshjen ndaj Zvicrës
E

Edona Zhegrova mungon në ndeshjen ndaj Zvicrës

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë të ditur se Edon Zhegrova nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, që Kosova do ta zhvillojë më 5 shtator kundër Zvicrës.

Në një konferencë për media, Foda shpjegoi se vendimi për të liruar Zhegrovën erdhi pas marrëveshjes së futbollistit për transferimin te klubi italian i njohur, Juventusi.

Sipas trajnerit, futbollisti ka nevojë për kohë për të përfunduar të gjitha procedurat administrative dhe mjekësore që lidhen me këtë ndryshim të madh në karrierën e tij, si dhe për t’u aklimatizuar me ambientin e ri.

“E kuptojmë rëndësinë e këtij momenti për Edonin, pasi kalimi në një klub të tillë prestigjioz si Juventusi është një hap i madh në karrierën e tij. Për këtë arsye, vendosëm ta lirojmë nga ndeshja e parë kualifikuese për t’i dhënë hapësirë të mjaftueshme për t’u përgatitur në mënyrë adekuate,” tha Foda.

Trajneri shtoi se mungesa e Zhegrovës padyshim se do të jetë një hendikep për Kosovën, duke theksuar kontributin e rëndësishëm që sulmuesi i talentuar ka dhënë në përfaqësuesen kombëtare deri tani.

“Edon është një nga lojtarët tanë kyç dhe mungesa e tij do të ndihet në fushë. Megjithatë, skuadra ka edhe elementë të tjerë që do të duhet të tregojnë karakter dhe të kompensojnë mungesën e tij në këtë ndeshje të rëndësishme,” u shpreh Foda.

Kosova do të kërkojë rezultat pozitiv ndaj Zvicrës në ndeshjen e parë kualifikuese, edhe pa prurjen e yllit të ri të Juventusit, ndërsa pritet që Zhegrova t’i bashkohet skuadrës pas përfundimit të procedurave të transferimit dhe pas përfaqësimit të Kosovës në ndeshjet e radhës. /Autoportali

TË FUNDIT