Të mbështetur nga Eurogoma Racing Team dhe Projekti për Mobilitet i Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), Emin Dobra e Muhamet Grajqevci do të marrin pjesë në Drag Race, garë e cila mbahet më 19-21 shtator, në aeroportin e qytetit Arad të Rumanisë.
Dobra do të paraqitet me BMW E30 C20LET dhe synon të arrijë rezultat të mirë.
“Në pistën tonë (në Sllatinë) koha ime më e mirë është 10.4, por besoj që mund të kem rezultat edhe më të mirë. Me aq sa di unë, atje pista do të jetë me ngjitës, ndërsa edhe veturën e kam në gjendje shumë të mirë, prandaj shpresoj të arrij rezultat të mirë. Besoj që kam mundësi të hyj në Klasën 9”, ka thënë Dobra, duke u shprehur optimist para kësaj gare.

Rezultat të mirë pret edhe Muhamet Grajqevci, i cili do të garojë me Audi RS6 C8 e vitit 2023.
“Synimi im është të jem në Klasën 9. Duke marrë parasysh se pesha e veturës është 2.4 ton dhe ndoshta mund ta ulim deri në 2.2, atëherë nësa hyjmë në 9 sekonda do të ishte rekord botëror për këtë model të veturës, sepse diçka të tillë ende nuk ka arritur askush”, ka thënë Grajqevci.
Dy garuesit tanë shpresojnë që në Rumani ta promovojnë sa më mirë auto sportin e Kosovës.



