Piloti i Haas në Formula 1, Esteban Ocon, ka realizuar një ëndërr të kahershme të fëmijërisë duke provuar për herë të parë një makinë rally të nivelit më të lartë, Toyota GR Yaris Rally1, gjatë Festivalit të Shpejtësisë në Goodwood.
“Që kur shkuam në Japoni, u thosha vazhdimisht se sa shumë i dua makinat dhe se gjithmonë kam dashur të provoj një WRC”, tha Ocon për Autosport. “Nuk fjeta fare natën para. Ishte vërtet një ëndërr e bërë realitet”.
Fillimisht, skuadra ia fshehu surprizën. Ai zbuloi gjithçka kur pa orarin e tij për eventin, ku shkruhej “Esteban, WRC”. Pasi e pyeti shefin e ekipit Ayao Komatsu, ai ia ktheu me shaka: “Jo, jo, do të jesh pasagjer”.
Më pas qeshën dhe zbuluan surprizën e vërtetë – do ta drejtonte vetë makinën.
“Kur isha 12 vjeç, ëndrra ime ishte të isha aq i suksesshëm në F1 sa të blija një makinë WRC dhe të shkoja me të në market. Më vonë zbulova që janë të regjistrueshme për rrugë, por duhen leje të veçanta për garat”, tha ai.

Përvoja e mahniti Ocon-in, veçanërisht pasagjerimi pranë pilotit të Toyotas, Takamoto Katsuta.
“Ishte e pabesueshme. Kur e provova vetë, mendova se kishte pak kapje, por kur u ula pranë Takamoto-s, kuptova sa e jashtëzakonshme është kjo makinë”.
I pyetur nëse do të merrte pjesë në rally në të ardhmen, Ocon u përgjigj: “Për qejf, pas karrierës në F1, patjetër. Por jo në klasën Rally1. Nëse më japin mundësinë për një test, do ta bëja me shumë dëshirë. Jam pafundësisht mirënjohës Toyota-s për këtë përvojë”.



