“Fadil Vokrri” ndez dritat edhe sonte, Kombëtarja U21 pret atë të Spanjës

“Fadil Vokrri” ndez dritat edhe sonte, Kombëtarja U21 pret atë të Spanjës

Kombëtarja e Kosovës U21 do të zbresë sonte në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” për një nga përballjet më të vështira dhe më sfiduese në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027.

Dardanët e rinj do të përballen me Spanjën U21, një prej superfuqive të futbollit evropian në këtë grupmoshë.

Ndeshja nis nga ora 19:00 dhe pritet të zhvillohet përpara një numri të madh tifozësh vendas, të cilët do të jenë aty për të mbështetur të rinjtë kosovarë në përpjekjen e tyre për të shkruar histori ndaj një kundërshtari me peshë.

Kosova U21 vjen në këtë përballje pas një barazimi në ndeshjen e parë, duke grumbulluar një pikë dhe aktualisht renditet në mesin e gjashtë ekipeve të Grupit A.

Ndërkaq, Spanja U21 ka nisur fushatën me një fitore, duke mbledhur tri pikë dhe duke zënë vendin e dytë në grup, që udhëhiqet nga Rumania me një ndeshje më shumë.

Grupi A është mjaft konkurrues dhe përveç Kosovës dhe Spanjës, në të bëjnë pjesë edhe Finlanda, Rumania, San Marino dhe Qipro përfaqësuese që e bëjnë garën për kualifikim të paparashikueshme dhe të fortë deri në xhirot e fundit.

Stafi teknik i Kosovës U21, nën drejtimin e trajnerit Afrim Toverlani ka theksuar rëndësinë e disiplinës taktike dhe angazhimit maksimal përballë një ekipi që ka prodhuar emra të mëdhenj të futbollit botëror.

Fitorja ndaj Spanjës do të ishte jo vetëm një rezultat i bujshëm, por edhe një nxitje e madhe për moralin e skuadrës në vazhdim të kampanjës kualifikuese.

Megjithatë, edhe një rezultat pozitiv si barazimi do të vlerësohej lartë, përballë një ekipi që konsiderohet favorit për ta fituar grupin.

Ndeshja zhvillohet në një moment kur futbolli i Kosovës po kalon një periudhë shprese dhe entuziazmi, pas fitores së ekipit A kundër Suedisë, dhe një rezultat i mirë nga U21 do ta forconte edhe më shumë këtë atmosferë pozitive. /AutoPortali

TË FUNDIT