FIA ka nënshkruar një marrëveshje historike me Extreme H për të krijuar Kupën e parë Botërore të motorsportit me energji nga hidrogjeni. Ky kampionat inovativ synon të promovojë qëndrueshmërinë, teknologjinë e avancuar dhe barazinë gjinore në sportin motorik.
Ngjarja do të zhvillohet për herë të parë në Arabinë Saudite dhe do të përdorë qeliza karburanti me hidrogjen për të fuqizuar jo vetëm makinat, por edhe të gjithë infrastrukturën e garës.
Pas nënshkimit të marrëveshjes, Mohammed Ben Sulayem, president i FIA, u shpreh: “Kjo marrëveshje tregon besimin tonë në hidrogjenin si pjesë kyçe e evolucionit të motorsportit dhe ndihmon në ndërtimin e një të ardhme më të qëndrueshme për sportin dhe industrinë”.
Ndërsa, Alejandro Agag, CEO i Extreme H, tha: “Ky është një moment historik për garat me hidrogjen. Ne duam të tregojmë se teknologjia e pastër dhe barazia në pistë mund të ecin përpara së bashku”.
Data dhe vendi i saktë i garës së parë do të shpallen më 17 shtator.



