Flick: Duam të jemi në 8 vendet e para, ky është qëllimi ynë
F

Flick: Duam të jemi në 8 vendet e para, ky është qëllimi ynë

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dalë para mediave në konferencën e fundit për shtyp, të mbajtur një ditë para përballjes së rëndësishme ndaj Copenhagenit në kuader të Champions League.

Tekniku gjerman ka folur për disa çështje që lidhen me skuadrën, si dhe për objektivat e klubit në këtë fazë të kompeticionit.

Flick theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe shprehu respekt maksimal për kundërshtarin, duke vlerësuar faktin se edhe Copenhageni ka nevojë për fitore për të vazhduar më tej në garë.

Sipas tij, Barcelona hyn në këtë sfidë me besim, por pa nënvlerësuar asnjë moment rivalin.

“Jemi të sigurt, por e respektojmë Kopenhagenin, sepse edhe ata duhet të fitojnë për të avancuar. Duam të jemi në tetë vendet e para, ky është qëllimi ynë”, u shpreh Flick në konferencë.

Aktualisht, Barcelona ndodhet në pozitën e nëntë në renditjen e Champions League, megjithatë ka ende mundësi reale për t’u futur në top 8-she, çka do t’i siguronte kualifikimin direkt në fazën e një të tetës së finales.

Ndeshja ndaj Copenhagenit pritet të jetë vendimtare për ambiciet e katalanasve në këtë edicion të kompeticionit më prestigjioz evropian./AutoPortali

TË FUNDIT