Flick nuk e pranon largimin, Casado pritet të qëndrojë te Barcelona
F

Flick nuk e pranon largimin, Casado pritet të qëndrojë te Barcelona

Marc Casado ka qenë në qendër të spekulimeve për një largim të mundshëm nga FC Barcelona, me raportime që e lidhin mesfushorin e talentuar me një transferim të mundshëm prej 30 milionë eurosh.

Kjo shifër e ka vënë klubin përballë një dileme mes interesave financiare dhe atyre sportive.

Megjithatë, trajneri i ri i Barçës, Hansi Flick, ka dalë hapur kundër idesë së shitjes së Casados. Gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes kundër Levantes, Flick u shpreh qartë se lojtari është pjesë e planeve të tij për sezonin e ardhshëm, transmeton AutoPortali.

“Kam folur me të [Casadon]. Nuk mendoj se ai dëshiron të largohet. Dua që ai të qëndrojë këtu. Do të jetë një sezon i vështirë,” u shpreh Flick, duke theksuar rëndësinë që Casado ka për balancën dhe forcën e skuadrës.

“Të kesh atë në dispozicion na jep shumë besim si ekip, dhe kjo është ajo që na duhet si ekip dhe si staf teknik.”

Pavarësisht dëshirës së Flick për ta mbajtur 20-vjeçarin në ekip, vendimi përfundimtar nuk qëndron vetëm në duart e tij.

Situata financiare e klubit dhe rregullat e rrepta të Fair Play Financiar mund ta detyrojnë Barcelonën të shqyrtojë ofertat për lojtarin, si pjesë e një strategjie për të balancuar bilancin ekonomik.

Nëse Casado largohet, klubi pritet të mbështetet te një tjetër talent i ri nga akademia, Marc Bernal, duke vazhduar traditën e promovimit të futbollistëve nga La Masia.

TË FUNDIT