Flick: Objektivi jonë është ta fitojmë Champions League
F

Flick: Objektivi jonë është ta fitojmë Champions League

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka theksuar se skuadra katalanase po punon intensivisht dhe po shënon përmirësime të vazhdueshme në të gjitha aspektet, me synimin kryesor fitimin e Champions League këtë sezon.

Tekniku gjerman ka ritheksuar se e gjithë puna që po bëhet brenda klubit është e fokusuar drejt një objektivi madhor: triumfit në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

Sipas Flick, përparimi i skuadrës vjen përmes përmirësimit të vazhdueshëm të detajeve, sado të vogla që ato të duken.

“Siç e kam thënë edhe sezonin e kaluar, ne po punojmë çdo ditë për t’u bërë më të mirë. Duhet të përmirësojmë gjërat e vogla, madje edhe ato shumë të voglat, në mënyrë që të vazhdojmë përpara”, u shpreh fillimisht Flick.

Ai shtoi se Barcelona ka realisht shanse për të fituar Ligën e Kampionëve, duke e cilësuar këtë si një objektiv shumë të rëndësishëm, për të cilin skuadra po angazhohet maksimalisht çdo ditë.

Trajneri i Barçës vlerësoi gjithashtu rolin e tifozëve, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme që ata i japin ekipit në çdo ndeshje.

Sipas tij, uniteti mes skuadrës dhe tifozëve është një faktor kyç në luftën për tituj.

Nën drejtimin e Flick, Barcelona ka arritur të sigurojë kualifikimin direkt në fazën e 1/8-tës së finales në Champions League për dy sezone radhazi, ndërsa sezonin e kaluar u ndal në gjysmëfinale pas eliminimit nga Interi.

Duke folur për sukseset e deritanishme, Flick kujtoi fitimin e Superkupës, duke e cilësuar triumfin ndaj Real Madridit si një moment fantastik.

Megjithatë, ai theksoi se mentaliteti i klubit mbetet i pandryshuar.

“Në fund të fundit, ne jemi Barça. Luftojmë për çdo trofe. Kemi mundësinë të garojmë për çdo titull dhe kjo është pikërisht ajo që duam”, përfundoi trajneri gjerman. /AutoPortali

TË FUNDIT