Franco Foda ka dalë në konferencë për shtyp për të folur para ndeshjeve të muajit nëntor.
Kosova do të përballet me Rumaninë dhe Lituaninë, ku fillimisht më 15 nëntor luan në Bukuresht dhe tre ditë më vonë presin lituanezët në ‘Fadil Vokrri’.
Për këto ndeshje do të mungojnë emra si Milot Rashica, Leart Paqarada dhe Bersant Celina të cilët pësuan lëndime në fundjavë.
Për të zëvendësuar lënduarit janë ftuar Zymer Bytyqi, Art Smakaj dhe Leard Sadriu.
“Fatkeqësisht kësaj radhe i kemi disa lëndime, nuk e kemi në dispozicion Milot Rashicën, Leart Paqaradën dhe Bersant Celinën. Me ekipin do të bashkohen Zymer Bytyqi dhe Art Smakaj”, deklaroi Foda.
“Nën drejtimin tim për herë të parë do t’i kemi dy futbollistë të rinj si Leard Sadriu dhe Baton Zabërgja”, tha Foda.
Përzgjedhësi i Kosovës ka thënë se vendi i parë është i arritshëm derisa shtoi se ka pritur gola më shumë nga futbollistët.
“Vendi i parë është akoma i arritshëm, por duhet njëherë ta mposhtim Rumaninë. Në tri ndeshjet e fundit jam përgjithësisht i kënaqur me ekipin, por jo edhe aq pasi është dashur të shënojmë më shume gola”, deklaroi Foda.

Ai foli edhe për ftesën që i bëri Zymer Bytyqit, me sulmuesin anësor që ka shkëlqyer në ndeshjet e fundit me CSKA Sofjen duke shënuar një gol e duke asistuar në dy të tjerë.
“Ishte opsion edhe Hazrollaj, megjithatë vendosa për Bytyqin pasi e njoh dhe po bën shumë mirë me skuadrën e tij duke shënuar gola e duke asistuar”, deklaroi Foda.



