Foda në kontakte me Celinën, mund të ftohet për ndeshjet e radhës te Kosova
F

Foda në kontakte me Celinën, mund të ftohet për ndeshjet e radhës te Kosova

Mesfushori i njohur kosovar, Bersant Celina, ka zbuluar në një intervistë për portalin suedez Fotbolldirekt se ka pasur një bisedë direkte me trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, në lidhje me një rikthim të mundshëm te “Dardanët”.

Foda e ka kontaktuar personalisht Celinën, dhe ekziston mundësia që ai të jetë pjesë e listës së lojtarëve të ftuar për ndeshjet e muajit tetor, ku Kosova do të përballet me Slloveninë dhe Suedinë.

“Nuk e di nëse do të ftohem apo jo. Kam biseduar me trajnerin e Kombëtares së Kosovës. Do të kem mundësi – ose tani, ose më vonë. Varet nga ai”, u shpreh Celina gjatë intervistës për median suedeze.

Aktualisht, Celina po kalon një sezon shumë të mirë me ekipin suedez AIK, ku është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Gjatë fundjavës së kaluar, ai realizoi një eurogol, por vetë lojtari thotë se nuk ishte më i miri në karrierën e tij:

“Ishte një gol i bukur, por kam shënuar edhe më të mirë”, tha ai me modesti.

29-vjeçari deri më tani këtë sezon ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar pesë asiste në të gjitha garat me AIK-un, duke konfirmuar kthimin në formën më të mirë pas disa sezonesh me luhatje.

Një rikthim i Celinës në fanellën e Kosovës do të ishte një përforcim i rëndësishëm për Kombëtaren, sidomos në prag të ndeshjeve të rëndësishme që mund të përcaktojnë fatin e skuadrës në rrugëtimin drejt suksesit ndërkombëtar. /AutoPortali

TË FUNDIT