Federata Shqiptare e Futbollit ka rinovuar kontratën me trajnerin e Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Junior, si edhe dy zëvendës-trajnerët, Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior.
FSHF bën me dije se kontrata e re me trajnerin Sylvinho dhe dy asistentët e tij, Zabaleta dhe Dorival do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025 dhe menjëherë do të nisë puna për ndeshjet e UEFA Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës.
Sfida e parë është UEFA Nations League, garë që do t’i shërbejë stafit teknik për të përgatitur sa më mirë ekipin për kualifikueset e Botërorit 2026.
Pas suksesit të arritur me kualifikimin në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”, tani synimi kryesor do të jetë një kualifikim historik në finalet e Kupës së Botës 2026.
Arritja e marrëveshjes dhe vazhdimi i projektit tregon vizionin e FSHF-së për të rritur sa më shumë nivelin e ekipit kombëtar me objektivin kryesor për të arritur të tjera suksese historike në të ardhmen.



